IPK arreston zyrtar policor të Njësive Speciale në Prishtinë për dhunë në familje
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se hetuesit e tij kanë arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur më 24 tetor 2025 në Prishtinë. Pas pranimit të informacionit, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
Sipas njoftimit, pas zhvillimit të disa veprimeve fillestare dhe konsultimit me prokurorin kompetent, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Zyrtari në fjalë, i cili ishte i angazhuar në kuadër të Departamentit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, është suspenduar nga detyra me rekomandim të IPK-së, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, do të vazhdojnë hetimet për të ndriçuar plotësisht të gjitha rrethanat që lidhen me këtë rast. /Kosova.info/
