Kriza në ndërmarrjen “Gjelbër”/ Punëtorët pa paga, objekti në gjendje të mjerueshme

Ndërmarrja publike “Gjelbër” në Prishtinë, e cila merret me mirëmbajtjen dhe gjelbërimin e hapësirave publike, po përballet me krizë të thellë financiare. Punëtorët fizikë të saj nuk kanë marrë pagat tash e tre muaj, ndërsa drejtoria e ndërmarrjes dhe Komuna e Prishtinës vazhdojnë të shkëmbejnë fajësime, raporton Kosova.info.

Sipas raportimit të Gazeta Blic, zyrtarët e ndërmarrjes thonë se situata ka ardhur si pasojë e moskryerjes së obligimeve financiare nga Komuna e Prishtinës. “Për shkak të problemeve financiare që i ka komuna, nuk ka mundur t’i kryejë obligimet që i ka ndaj ndërmarrjes ‘Gjelbër’. Jemi në bisedim dhe shpresojmë që të gjendet një zgjidhje e shpejtë”, ka deklaruar sekretari i ndërmarrjes, Andi Belegu.

Nga ana tjetër, sindikata e punëtorëve konfirmon se punëtorët janë pa paga dhe po presin përgjigje nga komuna. Kryetari i sindikatës, Veli Dodolli, ka paralajmëruar se nëse pagesat nuk ekzekutohen, do të ndërmerren masa ligjore.

Një situatë e ngjashme është dokumentuar edhe nga Gazeta Insajderi, e cila raportoi për gjendjen e mjerueshme të objektit të ndërmarrjes, ku punëtorët përgatisin farat dhe bimët për hapësirat publike të qytetit. Pamjet tregojnë kushte pune të vështira dhe mungesë të kushteve bazë. Punëtorët e quajnë “të braktisur” këtë sektor që ka rol të rëndësishëm për mirëmbajtjen e qytetit.

Në qendër të kritikave është fakti që ndërmarrja “Gjelbër” menaxhohet nga kuadro të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, e që sipas burimeve nga terreni, ka dështuar të ruajë stabilitetin financiar dhe funksional të ndërmarrjes.

Ndërkohë, drejtuesit komunalë i kanë hedhur fajet te Qeveria, duke pretenduar se janë ndalur hyrjet buxhetore që ndikojnë drejtpërdrejt në financimin e ndërmarrjeve publike./Kosova.info/


Go to TOP