Ajeti i përgjigjet Abdixhikut: “Aleanca Shqiptare” nuk ka llogo partie, në Graçanicë garuam si të pavarur
Leutrim Ajeti, kandidat për kryetar komune i Aleanca Shqiptare për Graçanicën ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili në emisionin “Debat Plus” te Ermal Panduri tha se “njo dy asambleistë të LDK-së në Graçanicë nuk po na i njohin me llogo të LDK-së, sepse ata janë të LDK-së”.
Në reagimin e tij, Ajeti thekson se Abdixhiku është informuar gabimisht, pasi LDK në zgjedhjet lokale në Graçanicë kishte dërguar vetëm një kandidat për Asamblenë Komunale.
“I nderuar z. Abdixhiku, me gjasë dikush Ju paska njoftuar gabimisht, sepse LDK ka dërguar vetëm një kandidat për Asamblenë Komunale në Graçanicë,” shkruan Ajeti.
Ai sqaroi gjithashtu se të gjithë kandidatët shqiptarë në Graçanicë kanë kandiduar nën subjektin “Aleanca Shqiptare”, pa llogo partie, si pjesë e një nisme të përbashkët për unitet politik.
“Të gjithë ne si kandidatë kemi kandiduar pa llogo e pa parti në subjektin e quajtur ‘Aleanca Shqiptare’, për të cilën u punua pa u ndalur nga shumë vullnetarë, sepse ‘Aleanca Shqiptare’ për herë të parë bashkoi gjithë shqiptarët në një komunë me shumicë serbe,” ka theksuar ai.
Në fund, Ajeti shtoi se kanë kërkuar takim me kryetarin e LDK-së rreth dy muaj para zgjedhjeve, për ta informuar për këtë iniciativë, njëjtë siç janë njoftuar edhe partitë e tjera si VV, PDK dhe AAK. /Kosova.info/
