Rama: 90% e punimeve në unazën e brendshme të Prishtinës janë përfunduar – po punohet edhe natën për pjesën e mbetur

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se punimet në unazën e brendshme të kryeqytetit janë drejt përfundimit, me rreth 90% të projektit tashmë të kryer.

Nga terreni, Rama tha se ekipet komunale dhe kontraktuesit janë duke punuar me intensitet të lartë, madje edhe gjatë natës, për të përfunduar 10% e mbetur të punimeve.

“Jemi këtu në unazën e brendshme të kryeqytetit, 90% të punëve janë të kryeme. Tash po punojnë edhe natën për me i përfunduar edhe këto 10% çka janë met. Prishtina po transformohet,” ka deklaruar Rama.

Ky projekt konsiderohet një nga investimet infrastrukturore më të rëndësishme për qarkullimin urban, që pritet të lehtësojë trafikun, të përmirësojë qasjen ndërlagjore dhe të krijojë një rrjet më funksional rrugësh brenda qytetit.

Sipas kryetarit Rama, përfundimi i unazës së brendshme do të jetë një hap i madh drejt modernizimit të infrastrukturës rrugore të Prishtinës, pjesë e vizionit të tij për një kryeqytet më të qasshëm, të gjelbër dhe të zhvilluar. /Kosova.info/


Go to TOP