Shehu: LDK-ja ka fituar bindshëm në Junik – AAK po zhvillon një fushatë të turpshme me shpifje dhe ofendime

Kryetari i degës së dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Junik, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, ku LDK-ja doli forcë e parë me rreth 49% të votave duke lënë pas AAK-në me 38.9%, një diferencë prej mbi 372 votash. Megjithatë, për shkak të afërsisht 40 votave, në Junik do të zhvillohet balotazhi më 9 nëntor.

Në reagimin e tij publik, Shehu ka shprehur shqetësimin për, siç tha ai, “fushatën jodinjitoze” që po zhvillon AAK-ja në Junik duke akuzuar këtë parti për “ofendime ndaj vajzave, grave dhe familjeve junikase”, si dhe për përdorim të llogarive fiktive në rrjete sociale për përhapjen e shpifjeve.

“Paradite publikojnë postime ku ofendojnë vajzat e Junikut, ndërsa pasdite shkojnë dhe kërkojnë votën me lutje. Pjesa më ‘inovative’ janë llogaritë fiktive me të cilat shpërndajnë postimet e tyre shpifëse,” ka thënë Shehu.

Ai ka paralajmëruar se LDK-ja në Junik do të dorëzojë dhjetëra kallëzime penale dhe padi civile ndaj eksponentëve të AAK-së për “tentim blerje votash, manipulim të votuesve, fyerje, shpifje dhe shkelje të tjera ligjore”.

Shehu u ka bërë thirrje qytetarëve të Junikut, në Kosovë dhe në mërgatë, që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të mohojë identitetin e junikasve që jetojnë jashtë vendit.

“Juniku është i junikasve. Agron Kuçi dhe eprorët e tij nga Deçani nuk kanë asnjë autoritet të vendosin kush është i Junikut e kush jo,” ka shtuar ai.

Në fund, Shehu ka theksuar se LDK-ja do të mbrojë nderin dhe vlerat e Junikut deri në sekondën e fundit, duke i ftuar qytetarët të qëndrojnë të bashkuar dhe të votojnë me vendosmëri në balotazh.

“Të bashkuar kundër propagandës dhe shpifjeve, vazhdojmë +4,” përfundon reagimi i tij.


Go to TOP