Selmanaj pas zgjedhjeve në Prizren: Ky nuk është fundi, por fillimi i rrugëtimit tonë – Prizreni meriton më shumë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka reaguar pas përfundimit të procesit të numërimit të votave duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale.
Në një reagim publik, Selmanaj falënderoi qytetarët e Prizrenit, anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së për përkrahjen që i dhanë në garën e tij të parë për kryetar komune. Ai theksoi se fushata ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm ku kishte mundësi të dëgjonte shqetësimet dhe idetë e qytetarëve.
“Rezultatet treguan qartë se gara në Prizren ishte e vështirë dhe e pabarabartë. Përballja nuk ishte vetëm me kundërshtarë politikë, por edhe me dy pushtete – atë nacional dhe atë lokal”, tha Selmanaj duke shtuar se pavarësisht kësaj, LDK kishte programin më të mirë dhe një listë të fortë kandidatësh për asamble.
Ai theksoi se 8,255 votat e fituara janë dëshmi se në Prizren ekziston një dëshirë për një vizion të ri dhe ndryshe për të ardhmen. “Si pjesë e LDK-së, partisë më të vjetër në Kosovë, jam krenar që e përqum përsëri frymën demokratike dhe evropiane në qytetin tonë”, shtoi Selmanaj.
Në fund, ai u zotua se ky nuk është fundi, por fillimi i një rrugëtimi të ri për LDK-në në Prizren.
“Nuk do të dorëzohemi, sepse besoj se Prizreni meriton më shumë – meriton zhvillim, transparencë dhe mirëqenie për të gjithë”, përfundoi ai. /Kosova.info/
