Zyrtar publik në mbajtje për 48 orë, dyshohet për manipulim tenderësh prej mbi 8.8 milionë euro

Policia e Kosovës, përmes Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka zhvilluar një hetim lidhur me dyshimet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” në procedurat e tenderëve publikë.

Gjatë hetimeve janë siguruar prova dhe informata që ngrenë dyshime të bazuara se një zyrtar publik ka ndihmuar operatorë ekonomikë të shpallen fitues në tenderë të caktuar duke përshtatur kriteret e autoriteteve kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme. Sipas Policisë, vlera totale e tenderëve të përfshirë në këtë skemë dyshohet të ketë tejkaluar shumën prej 8.8 milionë eurosh.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, përfshirë sigurimin e dëshmive, sekuestrimin e pajisjeve komunikuese dhe ndërmarrjen e masave tjera hetimore.

Personi kryesor i dyshuar është intervistuar dhe, me urdhër të Prokurorisë Speciale, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy persona të tjerë të dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është ende në fazën hetimore dhe autoritetet kanë bërë të ditur se në bashkëpunim me organet e drejtësisë do të ndërmerren veprime të tjera ligjore në vijim. /Kosova.info/


Go to TOP