Krasniqi: LDK do të rikthehet fuqishëm, si forcë që bashkon dhe ndërton
Nënkryetarja e degës së LDK-së në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që kanë përfshirë këtë degë duke shprehur shqetësim për gjendjen e krijuar dhe atmosferën që, sipas saj, ka rënduar anëtarësinë e partisë.
Krasniqi theksoi se këto ditë kanë qenë të ndjeshme për strukturat dhe aktivistët që me përkushtim kanë mbajtur gjallë LDK-në në këtë qytet.
“LDK ka qenë dhe mbetet shtëpi e përbashkët, forcë unifikuese dhe shembull i maturisë politike. Sot më shumë se kurrë, ftoj të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë në Vushtrri të qëndrojnë të qetë, të bashkuar dhe besnikë ndaj vlerave që na kanë udhëhequr për mbi tri dekada,” ka deklaruar ajo.
Sipas saj, Lidhja Demokratike e Kosovës do ta rikthejë qetësinë, bashkëpunimin dhe drejtimin e duhur në Vushtrri, përmes përfshirjes, dialogut dhe sinqeritetit.
“LDK do të rikthehet fuqishëm në Vushtrri, me vlerat, traditën dhe njerëzit e saj të mirë, si forcë që bashkon dhe ndërton, jo që ndan,” përfundoi Krasniqi. /Kosova.info/
