Ndryshim pas votave të diasporës: Peci kalon Tahirin në Mitrovicën e Jugut
Pas numërimit të plotë të votave të ardhura nga diaspora, në Mitrovicën e Jugut ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në renditjen për kryetar komune. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka kaluar në vendin e parë duke e tejkaluar Arian Tahirin e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas rezultateve preliminare nga Qendrat Komunale të Numërimit, Tahiri i PDK-së deri para votave të diasporës udhëhiqte me 40 vota epërsi duke grumbulluar 15.393 vota kundrejt 15.353 votave të Pecit.
Mirëpo, me përfshirjen e votave nga jashtë vendit, rezultati ka ndryshuar ndjeshëm: Faton Peci ka marrë 392 vota nga diaspora, ndërsa Arian Tahiri 236.
Në total, Peci tani numëron 15.745 vota, ndërsa Tahiri 15.629 – një diferencë prej 116 votash në favor të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pavarësisht këtij ndryshimi, fitoren përfundimtare në Mitrovicën e Jugut do ta përcaktojë balotazhi mes dy kandidatëve kryesorë. /Kosova.info/
