Fiton Chelsea, Postecoglou nën presion
Chelsea ka arritur një fitore të thellë 3:0 ndaj Nottingham Forest në Premier League, duke e zgjatur serinë pa fitore të trajnerit Ange Postecoglou në tetë ndeshje.
Presioni mbi trajnerin australian është shtuar ndjeshëm, pasi humbja e radhës në shtëpi mund të rezultojë fatale për pozitën e tij.
Forest e ka nisur mirë ndeshjen dhe ka pasur një mundësi të artë përmes Elliot Anderson pas një gabimi të mbrojtjes së Chelsea, por lojtari ka hezituar dhe është bllokuar nga kundërshtarët. Një tjetër rast i mirë është humbur në mes të pjesës së parë, kur Morgan Gibbs-White e ka dërguar topin mbi traversë nga afërsia.
Chelsea, që ka luajtur pa disa prej lojtarëve kryesorë si Cole Palmer, Moises Caicedo dhe Enzo Fernandez, nuk ka treguar rrezik në sulm gjatë pjesës së parë. Megjithatë, në fundin e saj, Andrey Santos e ka pasur një mundësi të mirë, por gjuajtja e tij ka shkuar jashtë.
Në pjesën e dytë, pas disa zëvendësimeve të trajnerit Enzo Maresca (i cili nuk ishte në pankinë për shkak të një kartoni të kuq nga ndeshja e kaluar), Chelsea ka ndryshuar ritëm.
Pedro Neto ka asistuar për Josh Acheampong, i cili ka shënuar me kokë nga afërsia për epërsinë 1:0. Vetëm tri minuta më vonë, Neto e ka dyfishuar avantazhin me një goditje dënimi nga jashtë zonës.
Përpjekjet e Forest për të reaguar nuk kanë dhënë rezultat, ndërsa Igor Jesus e ka goditur traversën dhe shtyllën në një aksion të vetëm.
Chelsea e ka vulosur fitoren në fund, kur Reece James ka shënuar pas një goditje këndi të mbetur në zonë, duke e bërë rezultatin 3:0. Një karton i kuq i vonë për Malo Gusto e ka zbehur paksa atmosferën te londinezët, por fitorja ka qenë e qartë dhe e merituar.
