Veteranët me falënderim nga zemra: Zëri juaj e bëri protestën madhështore

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka shprehur falënderim të thellë për të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën mbarëkombëtare të mbajtur sot në Tiranë, ku u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në një njoftim zyrtar, OVL UÇK thekson se zëri i bashkuar i shqiptarëve nga të gjitha trojet – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe mërgata – e bëri protestën një ngjarje madhështore dhe të paharrueshme.

“Falënderim nga zemra për të gjithë pjesëmarrësit në protestën tonë. Zëri juaj i bashkuar e bëri këtë protestë madhështore dhe të paharrueshme”, thuhet në reagim.

Organizata ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për institucionet shqiptare, si ato qendrore ashtu edhe lokale, për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar gjatë organizimit të protestës.

“Respekt e mirënjohje për Policinë e Shtetit për kujdesin dhe mbarëvajtjen shembullore gjatë gjithë protestës”, thuhet më tej në komunikatë.

Po ashtu, OVL UÇK ka falënderuar edhe mediat për mbulimin e gjerë dhe rolin e tyre në përçimin e mesazhit të protestës:

“Pa mediat, zëri ynë nuk do të kishte jehonën dhe madhështinë që meriton. Faleminderit të gjithëve! Bashkë për drejtësi, bashkë për të vërtetën.”

Në protestën e sotme në Tiranë morën pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare duke shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke kërkuar drejtësi në proceset që po zhvillohen ndaj tyre në Hagë. /Kosova.info/


Go to TOP