Gucati nga Tirana: Nuk do të lejojmë përdhosjen e emrit të komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, deklaroi sot se nuk do të lejohet përdhosja e emrit dhe figurës së komandantëve të UÇK-së.

Duke folur në protestën e mbajtur në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Gucati theksoi se kjo është një kauzë e drejtë dhe qytetare, larg çdo ndikimi politik. Ai kritikoi Gjykatën Speciale duke e cilësuar si të njëanshme dhe të pabesueshme në proceset që po zhvillon ndaj ish-udhëheqësve të luftës.

“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi. Jemi këtu për të mbrojtur luftën e shenjtë, gjakun e derdhur për liri dhe për të ruajtur nderin. Ne nuk do të lejojmë të përdhoset emri i komandantëve tanë. Kjo protestë nuk ka lidhje me politikë – kjo është protestë e popullit shqiptar. Ne nuk po kërkojmë mëshirë, por drejtësi para ligjit”, u shpreh Gucati.

Ai shtoi se qëllimi i protestës është të rikujtojë sakrificën e UÇK-së dhe të kërkojë një proces të drejtë dhe transparent për ish-krerët që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP