Rezervat e karburanteve, Konfindustria kërkon ulje të barrës fiskale

Në Shqipëri Konfindustria kërkon krijimin e rezervave të karburanteve, por kundërshton rritjen e çmimit për qytetarët dhe bizneset.

Konfindustria ka deklaruar mbështetjen në parim për projektligjin që po shqyrtohet në Kuvendin e Shqipërisë për krijimin e rezervave të detyrueshme të karburanteve, por paralajmëron se projektligji kërkon ndryshime thelbësore për të shmangur pasoja të rënda ekonomike.

Sipas njoftimit, Konfindustria kërkon që vendosja e tarifës shtesë për krijimin e rezervave të shoqërohet me uljen në të njëjtën vlerë të barrës aktuale fiskale mbi karburantet, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të mos përballen me rritje të mëtejshme të çmimit final, i cili është ndër më të lartët në rajon.

“Ekonomia prodhuese, bujqësia, turizmi dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të përballojnë një rritje tjetër të çmimeve të karburanteve, pasi rrezikohet falimentimi masiv i bizneseve”, thuhet në reagimin e Konfindustrisë.

Sipas vlerësimeve të përafërta, kostot për krijimin dhe menaxhimin e rezervës mund të kalojnë 300 milionë dollarë, ndërsa efekti multiplikator në rritjen e barrës fiskale mund të kapë shifrën e 700 milionë dollarëve, një barrë e papërballueshme për ekonominë.

Konfindustria thekson se fondet e nevojshme mund të sigurohen përmes goditjes së kontrabandës dhe evazionit fiskal në sektorin e karburanteve, që vlerësohet të arrijë deri në 250–300 milionë dollarë në vit. Në këtë kuadër, nënvizohet edhe nevoja për të shmangur çdo mundësi që oligopoli i karburanteve të ketë ndikim në menaxhimin e rezervave strategjike.

Organizata kërkon që projektligji të përfshijë qartësisht masat për transparencë dhe mbrojtje të interesit publik në këtë proces. /Kosova.info/

Go to TOP