Fitorja e dinjitetit në Drenas, “Akademik Ramiz Lladrovci” i mundi krejt strukturën e PDK-së dhe riktheu besimin te vlerat e vërteta
Shkruan: Halil GECI
Pas disfatës në Drenas, Memli Krasniqi dhe PDK përballet me krizën më të rëndë të lidershipit, dorëheqja e tij do të ishte akti i vetëm i ndershëm politik
Zgjedhjet lokale në Drenas treguan qartë se qytetarët dinë të dallojnë midis vlerave të vërteta dhe interesave të ngushta politike. “Akademik Ramiz Lladrovci,”i përbuzur dhe i anashkaluar nga vetë partia e tij, doli fitimtar përballë gjithë strukturës që u rreshtua kundër tij.
Kjo fitore është më shumë se një rezultat zgjedhor, është një mesazh i fuqishëm nga qytetari i Drenasit, që nuk harron sakrificën, kontributin dhe ndershmërinë. Është një rikthim i dinjitetit, i vlerave të luftës dhe i respektit për ata që dhanë gjithçka për këtë vend.
Memli Krasniqi dhe udhëheqja e tanishme e PDK-së duhet të reflektojnë thellë: si është e mundur që një parti e tërë, me të gjitha strukturat, të mposhtet nga një individ që vetë ajo e kishte përjashtuar?
Ky është një sinjal i qartë se qytetari nuk pranon më imponime, pazare e as përjashtime të padrejta. Kur një parti mposhtet nga një person i përjashtuar prej saj, atëherë lidershipi i asaj partie e ka humbur plotësisht legjitimitetin moral dhe politik për të qëndruar në krye.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve tregojnë se PDK po përballet me një krizë të thellë besimi. Humbjet e njëpasnjëshme në shumicën e komunave, përfshirë edhe Drenasin ,zemrën historike të kësaj partie ,dëshmojnë se qytetarët kanë ndëshkuar arrogancën, përçarjen dhe përjashtimet.
Në këtë rrethanë, Memli Krasniqi, si kryetar i partisë, duhet të marrë përgjegjësinë e plotë politike. Dorëheqja e tij nuk do të ishte shenjë dobësie, por një akt ndershmërie dhe reflektimi.
Rënia e PDK-së mund të shihet edhe si një e mirë për Kosovën ,si një mundësi për pastrimin e politikës nga klanet e mbyllura dhe për rikthimin e meritës, kontributit dhe vlerës në skenën publike.
Urime “Akademik Ramiz Lladrovcit” për fitoren e merituar!
Urime qytetarëve të Drenasit ,kampionë të dinjitetit dhe krenarisë kombëtare!
“Kjo tregon se Drenica e meriton fitoren kur i prijnë akademikë si Ramiz Lladrovci dhe Sami Lushtaku.”
