Shehu: Juniku e konfirmoi fitoren e LDK-së pa balotazh
Kryetari i Degës së LDK-së në Junik dhe kandidati për kryetar komune, Ruzhdi Shehu, ka dërguar një mesazh falënderimi e mirënjohjeje për qytetarët e Junikut dhe mërgatën duke theksuar bashkimin dhe besimin e madh që kanë treguar në vizionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në koktejin e falënderimit të organizuar nga dega e LDK-së në Junik, morën pjesë mbi 700 qytetarë, të cilët, sipas Shehut, konfirmuan përfundimisht fitoren e LDK-së pa balotazh.
“Gjithë jetën time i kam shërbyer Junikut me nder dhe përkushtim, por nuk ka krenari më të madhe sesa kur shoh bashkëvendësit e mi kaq të bashkuar rreth vizionit të LDK-së për Junikun,” u shpreh Shehu.
Ai shtoi se kjo mbështetje e jashtëzakonshme është dëshmi e besimit të qytetarëve në punën dhe përkushtimin e LDK-së për zhvillimin e komunës.
“Faleminderit 113 herë për përkrahjen tuaj kaq të madhe. Përherë dhe gjithë jetën do të jem në shërbimin tuaj, me faqe të bardhë dhe zemër të hapur për Junikun tonë,” theksoi Shehu.
Në fund, ai ftoi të gjithë qytetarët e Junikut, pa dallim, që pas procesit zgjedhor të bashkohen në festën më të madhe në historinë e Junikut, për të shënuar fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
#LDK113 #JunikuPërtej /Kosova.info/
