Shehu prezanton skemën e re të subvencioneve për qytetarët e Junikut: Vazhdojmë +4 pa balotazh

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka prezantuar një skemë të re të subvencioneve që do të zbatohet gjatë mandatit të dytë, me qëllim mbështetjen direkte të qytetarëve të komunës.

Shehu ka deklaruar se Komuna e Junikut duhet të jetë pranë qytetarëve në çdo moment duke paralajmëruar masa konkrete që prekin fusha të ndryshme të jetës sociale, ekonomike dhe arsimore.

Sipas tij, në kuadër të skemës së re:

Për nënat lehona do të ndahen 300 euro për çdo lindje;

Nga 400 euro do të jepen për të mbuluar shpenzimet e procedurave të varrimit;

Komuna do të mbulojë shpenzimet e shërbimeve për të sëmurët kronikë;

Fermerët do të subvencionohen me pajisje moderne bujqësore;

Do të ofrohen bursa për nxënësit dhe studentët;

Ndërsa do të ketë mbështetje të vazhdueshme për OJQ-të dhe sportistët e Junikut.

“Komuna e Junikut është e qytetarëve dhe duhet të jetë pranë tyre në çdo moment. Kjo është qasja jonë për zhvillim e mirëqenie. Vazhdojmë +4 pa balotazh”, ka theksuar Shehu.

Fushata e tij po zhvillohet nën moton “Juniku Përtej” duke theksuar nevojën për vazhdimësi dhe përforcim të projekteve të nisura në mandatin aktual. /Kosova.info/


Go to TOP