Shehu fal borxhet dhe taksat komunale për bizneset e Junikut: Ne i përkrahim me vendime, jo me fjalë boshe
Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se Komuna ka marrë vendim për faljen e të gjitha borxheve që bizneset i kanë pasur ndaj saj, si dhe për heqjen e taksave komunale për ushtrimin e veprimtarive të tyre.
Shehu ka theksuar se vlera e borxheve të akumuluara nga viti 2008 deri më sot ka qenë rreth 81 mijë euro, ndërsa vetëm për vitin 2025 mbi 15 mijë euro, të cilat tashmë janë falur plotësisht.
“Po ashtu është marrë vendim që nga tani e tutje, të gjitha bizneset në Komunën e Junikut janë të liruara nga taksa komunale për ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Pra, edhe janë falur borxhet edhe është larguar taksa”, ka deklaruar Shehu.
Ai theksoi se ky vendim dëshmon përkushtimin e tij dhe të LDK-së për të mbështetur realisht bizneset vendore.
“Kur themi që ne i përkrahim bizneset, nuk themi vetëm fjalë boshe, por e dëshmojmë me vendime që drejtpërdrejt e lehtësojnë jetën e bizneseve të Junikut,” shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, Shehu kritikoi kundërshtarët politikë që, sipas tij, përpiqen të joshin bizneset me favore të ngushta gjatë fushatës.
“Të tjerët vijnë dhe organizojnë darka në kohë fushate me biznese duke tentuar t’i joshin ato me interesa personale. Por bizneset e Junikut kanë dinjitet, nuk shiten, nuk blihen dhe as nuk mashtrohen,” u shpreh ai.
Shehu përfundoi fjalën e tij me bindje për fitoren e listës së LDK-së pa balotazh duke ftuar qytetarët që të jenë pjesë e festës më 12 tetor.
“Prandaj, fitorja e listës fituese të LDK është e pashmangshme. Të dielën, më 12 tetor, padyshim që edhe bizneset do të jenë pjesë e festës sonë të madhe të fitores. Vazhdojmë +4 pa balotazh,” përfundoi ai.
#LDK113 #JunikuPërtej /Kosova.info/
