Gashi: Voto për vizionin, jo për iluzionin – Prishtina ka nevojë për punë, jo spektakël
Astrit Gashi, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Asamblenë Komunale të Prishtinës, ka bërë thirrje për votë të vetëdijshme e të bazuar në vizion duke theksuar se qyteti ka nevojë për vazhdimësi dhe jo për premtime boshe.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve të kryeqytetit, Gashi theksoi se Prishtina përballet me sfida reale që kërkojnë zgjidhje serioze e profesionale, jo marketing politik apo simulime pune.
“Prishtina ka probleme, dhe kush thotë të kundërtën, nuk jeton në të njëjtin realitet me ne. Por të pretendosh se këto probleme zgjidhen shpejt – me një kryetar që kap çekiçin për fotografi apo që shmang debatet – nuk është më iluzion, është ose padituri ose mashtrim për të marrë vota pa rezultate,” u shpreh Gashi.
Ai shtoi se gjatë këtyre katër viteve, LDK dhe kryetari Përparim Rama kanë punuar me përkushtim për t’i zbutur vështirësitë e kryeqytetit duke realizuar projekte të prekshme dhe duke ecur përpara përkundër pengesave politike.
“E vërteta është se Prishtinës i duhet vizion, jo spektakël. As në mandatin e ardhshëm nuk do mund të na ndalin, sepse me bekimin tuaj do kemi forcën dhe përvojën për të vazhduar punën e mirë,” tha Gashi.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për LDK-në dhe kandidatët e saj: “Voto Përparim Rama – 113, voto Astrit Gashi – 46.” /Kosova.info/
