Vota ime më vë në faj, nëse votoj të gabuarin!
Shkruan: Enis REÇICA
Vota është dije, edukatë, kulturë e pjekuri politike. E them shpesh, në kurrikulat shkollore duhet të kemi edhe lëndën e edukimit politik. Winston Churchill, citohet të ketë thënë “votuesi i zgjuar është më i fuqishëm se çdo ushtri”. Prandaj, fillimisht duhet të dimë, e më pas të dimë se sa të fuqishëm jemi përmes votës. Vlerën e dijes në zgjedhje e përmendi edhe Franklin D. Roosevelt, duke u shprehur se “demokracia nuk mund të ketë sukses nëse qytetarët nuk janë të përgatitur të zgjedhin me mençuri”.
Të bëhemi të mençur, të votojmë mençur të mençurit!
Më 12 tetor qytetarët e Kosovës do të kenë në dorë një përgjegjësi të madhe: zgjedhjen e kryetarëve dhe asambleve komunale.
Udhëheqja nuk është vetëm një pozitë nderi, por mbi të gjitha një amanet dhe një përgjegjësi. Kandidatët duhet të dinë se “secili prej jush është bari dhe secili do të pyetet për tufën e tij.”
Lideri i vërtetë është shërbëtor i popullit, ai që kujdeset për të varfrin, të pambrojturin, jetimin, të moshuarin, dhe që nuk e sheh pushtetin si privilegj, por si detyrim për të sjellë drejtësi. Nga krejt këto kategori, fundja, ai paguhet, merr pagën.
𝗖𝗶𝗹𝗮𝘁 𝗰𝗶𝗹𝗲̈𝘀𝗶 𝗱𝘂𝗵𝗲𝘁 𝘁’i 𝗸𝗲𝘁𝗲̈ 𝗻𝗷𝗲̈ 𝗹𝗶𝗱𝗲𝗿?
1. 𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐞̈𝐬𝐢 – Edhe nga Zoti urdhërohemi të jemi të drejtë…
2. 𝐁𝐞𝐬𝐧𝐢𝐤𝐞̈𝐫𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐬𝐡𝐦𝐞̈𝐫𝐢 – Ai që tradhton besimin e popullit, tradhton këdo.
3. 𝐃𝐢𝐭𝐮𝐫𝐢𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐟𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐚 – Më i dobishmi ndër ju është ai që më shumë u shërben të tjerëve.
4. 𝐅𝐫𝐢𝐤𝐚 𝐧𝐠𝐚 𝐙𝐨𝐭𝐢 – Lideri nuk guxon të mashtrojë, të vjedhë apo të shtypë. Ligjit edhe mund t’i ik, por jo dhe Zotit.
𝗦𝗶 𝗱𝘂𝗵𝗲𝘁 𝘁𝗲̈ 𝘃𝗼𝘁𝗼𝗷𝗻𝗲̈ 𝘃𝗼𝘁𝘂𝗲𝘀𝗶𝘁?
Votuesi nuk e ka votën thjesht si të drejtë, por si amanet. Urdhërohemi që “t’ua japim amanetet atyre që janë të denjë për to…”.
Pra, vota duhet dhënë atij që është më i aftë, më i ndershëm dhe më i përkushtuar ndaj të mirës së përbashkët, jo sipas interesit personal, fisnor apo partiak. Po edhe ai që zgjidhet do të mbajë peshën e drejtësisë ose të padrejtësisë mbi shpatullat e veta.
Edhe votuesi duhet të mendoj përgjegjësinë e tij. Duhet një parashikim, sepse me votën e tij, mund të dëmtohet lagjja, fshati, qyteti, komuna dhe ai vet.
𝗣𝗿𝗮𝗻𝗱𝗮𝗷, 𝘃𝗼𝘁𝘂𝗲𝘀𝗶𝘁 𝗱𝘂𝗵𝗲𝘁 𝘁𝗮 𝗱𝗶𝗻𝗲̈:
• Vota e dhënë për të paaftin është njëfarë tradhtie ndaj shoqërisë.
• Vota e dhënë për mashtruesin është pjesëmarrje në mashtrimin e tij.
• Vota e dhënë për interes personal është shitje e së ardhmes sonë.
