Shehu premton dy fusha sportive të reja dhe kënd lodrash për fëmijë në Junik

Kryetari aktual dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Komunën e Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se rinia dhe sporti do të mbeten ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij të dytë qeverisës.

Në një komunikim me qytetarët, Shehu ka bërë të ditur se komuna do të investojë rreth 130 mijë euro për ndërtimin e një fushe të hapur sportive në SHFMU “Edmond Hoxha” në Junik. Sipas tij, kjo fushë do të ndërtohet në përputhje me standardet moderne dhe profesionale.

Po ashtu, Shehu ka paralajmëruar ndërtimin e një fushe tjetër të hapur sportive dhe një këndi lodrash për fëmijë në lagjen Berishë, me vlerë investimi prej rreth 60 mijë eurosh. “Kjo hapësirë do të jetë vendtakimi më i dashur për të rinjtë dhe fëmijët tanë,” tha ai.

Shehu theksoi se LDK-ja në Junik po dëshmon përkushtimin ndaj rinisë me projekte konkrete dhe me ndershmëri duke theksuar se për dallim nga të tjerët, kjo qeverisje punon “me duar të pastra”.

Ai përmbylli fjalën e tij me një thirrje për mobilizim në zgjedhjet e 12 tetorit duke shprehur bindjen se “fitorja e madhe e LDK-së në Junik do të vijë pa balotazh.”

#LDK113 #JunikuPërtej #Vazhdojmë+4 /Kosova.info/


Go to TOP