Bayern i pandalshëm, mposht edhe Frankfurtin

Bayern Munich ka vazhduar ecurinë e mirë në fillim të sezonit të ri të Bundesligës, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi me triumfin 3-0 ndaj Eintracht Frankfurt në “Deutsche Bank Park”.

Me këtë rezultat, bavarezët janë bërrë skuadra e parë që e mban portën e paprekur ndaj Frankfurtit në këtë kampanjë.

Ndeshja ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Bayernin. Vetëm pas pesëmbëdhjetë sekondash lojë, Serge Gnabry ka përfituar nga një top i lirë dhe ka asistuar Luis Diaz, i cili e ka shtyrë lehtësisht topin në rrjetë për 1-0.

Frankfurt ka reaguar shpejt dhe ka shënuar me një goditje të bukur të Jean-Matteo Bahoya, por goli është anuluar pas ndërhyrjes së VAR-it për një prekje me dorë të Ritsu Doan në ndërtimin e aksionit.

Megjithëse vendasit kanë treguar rrezik në sulm, ata pësuan goditjen e dytë pas gjysmë ore lojë. Michael Olise ka harkuar në zonë, topi është devijuar nga Robin Koch në traversë, dhe në vazhdim Harry Kane e ka marrë topin nga Kimmich për të realizuar një goditje të fortë në cepin e largët. Ky gol e ka bërë anglezin futbollistin e parë që shënon njëmbëdhjetë gola në gjashtë javët e para të një sezoni të Bundesligës.

Në pjesën e dytë, Frankfurt e ka humbur ritmin e vet sulmues dhe nuk ka arritur të krijojë rrezik serioz. Bayern e ka kontrolluar lojën me qetësi dhe ka vazhduar të kërcënojë përmes Gnabry e Kane, të cilët kanë humbur disa mundësi të mira. Në minutat e fundit, një gabim në pasim i Aurelio Buta është shfrytëzuar nga bavarezët për një kundërsulm të shpejtë, që ka përfunduar me golin e dytë personal të Luis Diaz, i cili e ka vulosur fitoren me rezultat 3-0.

Pas kësaj fitoreje, Bayern mbetet në krye të tabelës me pikë të plota, ndërsa sfida e radhës do të jetë “Der Klassiker” ndaj Borussia Dortmund. Nga ana tjetër, Frankfurt pëson humbjen e tretë në katër ndeshjet e fundit dhe del nga zona e katërshes më të mirë. 


Go to TOP