Haradinaj: Prizreni ka nevojë për një epokë të re zhvillimi me Besnik Krasniqin në krye
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për kandidatin e kësaj partie për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqin duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për ta çuar qytetin drejt një epoke të re zhvillimi.
Në një deklaratë publike, Haradinaj tha se Prizreni meriton një qeverisje vizionare, e cila do të fokusohet në projekte strategjike ekonomike, kulturore dhe në fuqizimin e trashëgimisë e ngjarjeve artistike që e bëjnë këtë qytet unik.
“Kandidati ynë, Besnik Krasniqi, është profesionist i dëshmuar me përvojë të gjerë në sektorin publik dhe ndërkombëtar. Ai ka ndërtuar karrierën e tij mbi përgjegjësi, transparencë dhe shërbim ndaj qytetarëve. Prizreni ka nevojë për një udhëheqje të tillë – vizionare dhe të përgjegjshme,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se AAK është e dëshmuar në qeverisjen lokale dhe di si të ndërtojë rezultate konkrete për qytetarët duke shtuar se “është koha që edhe Prizreni të ketë udhëheqjen që bën dritë në çdo lagje, në çdo fshat e në çdo familje.”
Fushata e AAK-së për Prizrenin po zhvillohet nën moton #DritëpërPrizrenin dhe numrin zgjedhor #AAK174. /Kosova.info/
