Inter vazhdon formën e mirë me fitore ndaj Cremonese

Një paraqitje e jashtëzakonshme e Ange-Yoan Bonny e ka ndihmuar Inter të triumfojë me rezultat bindës 4-1 ndaj Cremoneses në Serie A, duke e çuar serinë e fitoreve të “Nerazzurrëve” në pesë ndeshje në të gjitha garat.

Cremonese e ka nisur takimin me moral të lartë pas një fillimi mbresëlënës sezonal prej pesë ndeshjesh pa humbje, përfshirë fitoren 2-1 ndaj Milanit në “San Siro” ditën e parë të kampionatit. Por, shpresat e tyre për një tjetër sukses në këtë stadium janë shuar shpejt përballë një skuadre të fortë të Inter.

Kapiteni Lautaro Martinez e ka zhbllokuar rezultatin pas vetëm gjashtë minutash lojë, duke përfituar nga një pasim i saktë i Bonny për të shënuar golin e tij të katërt në tri ndeshje.

Skuadra e Cristian Chivu ka menduar se e ka dyfishuar avantazhin kur goditja e Federico Dimarco është devijuar në rrjetë nga Manuel Akanji, por VAR-i e ka anuluar golin për pozicion jashtë loje të mbrojtësit të huazuar nga Manchester City.

Inter nuk është ndalur. Frattesi e ka detyruar portierin Silvestri të ndërhyjë me një pritje të vështirë, ndërsa Mkhitaryan i është afrua golit dy herë radhazi. Presioni i vazhdueshëm është shpërblyer në fund të pjesës së parë, kur Bonny ka shënuar me kokë pas një harkimi të saktë të Dimarco.

Në pjesën e dytë, Inter ka vazhdyar dominimin me dy gola të shpejtë. Bonny e ka mbajtur topin në lojë pas një goditjeje këndi dhe e ka asistuar Dimarco për një goditje precize në këndin e poshtëm, ndërsa më pas ka dhënë pasimin e tretë vendimtar për Nicolo Barella, i cili ka realizuar golin e tij të parë që nga dhjetori.

Megjithëse Inter e ka mbyllur ndeshjen pa shumë vështirësi, Chivu ka mbetur i pakënaqur që skuadra e tij nuk ka arritur ta ruajë portën e paprekur, pasi Federico Bonazzoli ka shënuar golin e nderit për mysafirët në minutën e tetëdhjetë e shtatë.

Pas kë saj ndeshje, Inter ngjitet në vendin e katërt, ndërsa Cremonese zbret në pozitën e tetë. Tabela e Serie A kryesohet nga Milan, por po aq pikë kanë edhe Napoli e Roma. 


Go to TOP