Andi Hyseni jep dorëheqje nga VV-ja: U zhgënjeva nga premtimet boshe, tash e mbështes Ekrem Hysenin dhe LDK-në

Andi Hyseni, anëtar dhe delegat i Lëvizjes Vetëvendosje nga fshati Majac i Komunës së Podujevës, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga të gjitha funksionet brenda kësaj partie. Ai ka deklaruar se është thellësisht i zhgënjyer me drejtimin që ka marrë Vetëvendosje duke theksuar se premtimet për meritokraci dhe luftë kundër korrupsionit nuk janë mbajtur.

“Hyra në Lëvizjen Vetëvendosje si një i ri me shpresën se kjo lëvizje do të na përkrahë ashtu siç na ishte premtuar. Punova me mund të madh për të arritur fitoren, por për fat të keq u zhgënjeva në masë të madhe. Mendova se meritokracia dhe mungesa e korrupsionit do të ishin parime bazë, por ndodhi e kundërta,” ka shkruar Hyseni.

Ai ka shtuar se nga ky moment do ta përkrah doktor Ekrem Hysenin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), të cilën e sheh si “idealin dhe shpresën e Llapit”.

“Vota ime dhe e rrethit tim, shoqërisë dhe familjes do të kalojë te Doku Ekrem Hyseni dhe Lidhja Demokratike, sepse është ideali dhe shpresa e Llapit,” ka përfunduar Hyseni. /Kosova.info/


Go to TOP