FSS nuk shet bileta për ndeshjen Serbi-Shqipëri në Leskovac, siguria mbi gjithçka

Federata Serbe e Futbollit (FSS) ka njoftuar sot një vendim të rëndësishëm për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Dubočica” të Leskovcit. Për shkak të vlerësimit të lartë të rrezikut dhe për të garantuar sigurinë maksimale, FSS ka vendosur që të mos shesë asnjë biletë për këtë përballje, ndonëse ekziston mundësia që të priten deri në 6 mijë shikues në tribuna.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në stadium do të mundësohet vetëm përmes shpërndarjes së biletave të personalizuara nga zyrat rajonale të federatës, të cilat do t’u jepen klubeve, nxënësve të shkollave të futbollit dhe prindërve të tyre, organizatave sportive, sponsorëve, mediave të akredituara dhe grupeve të tjera të nevojshme për zhvillimin e ndeshjes.

Hyrja në stadium do të bëhet vetëm me bileta të personalizuara dhe me kontroll të rreptë dokumentesh identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe me masa të larta sigurie.

Në deklaratë theksohet se ky vendim vjen pas konsultimeve me FIFA-n, UEFA-n dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë duke marrë parasysh edhe ngjarjen e vitit 2014 kur ndeshja Serbi–Shqipëri në Beograd u ndërpre dhe solli pasoja të rënda, përfshirë eliminimin e Serbisë nga kualifikimet për Euro 2016.

Dueli i 11 tetorit është shpallur nga të gjitha institucionet kompetente si një ndeshje me rrezik të lartë sigurie. FIFA ka dërguar dy oficerë të posaçëm sigurie në Leskovac, ndërsa është konfirmuar se nuk do të ketë tifozë shqiptarë në tribuna.

“FSS u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që me sjelljen e tyre të kontribuojnë në një atmosferë sportive dhe të drejtë, në mënyrë që kombëtarja jonë të ketë kushtet për të arritur rezultatin më të mirë në fushë”, përfundon njoftimi i federatës serbe. /Kosova.info/


Go to TOP