Abdixhiku: Mbështetja e qytetarëve, garanci për fitoren më të madhe të LDK-së më 12 tetor
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e madhe që po merr kjo parti gjatë fushatës zgjedhore. Në një adresim publik, ai falënderoi të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në tubimet qendrore, të cilat, sipas tij, janë bërë manifestim i përbashkët i ëndrrës për vendin, qytetet dhe komunat e Kosovës.
“Mbështetja juaj, lidhja jonë tashmë e fortë dhe rikonfirmimi i entuziazmit për LDK-në, për vlerat tona e për kandidatët tanë, janë shenjë e qartë e një fitoreje të madhe elektorale më 12 tetor. Tashmë nuk kemi asnjë dyshim, se kjo fitore do të jetë më e madhja që nga shpallja e pavarësisë,” deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK është “vetvetja dhe mes njerëzve që duan shpresë” duke shtuar se kjo është arsyeja kryesore pse partia po rritet dhe po ecën drejt fitores.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Abdixhiku bëri thirrje për unitet në ditët e mbetura të fushatës:
“Sepse lodhja nuk na ndal, ëndrrat nuk na shuhen, besimi gjithmonë na ngre në këmbë. Dhe koha është të ngrihemi sërish në këmbë. LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë!” /Kosova.info/
