Shtyhet ndeshja Valencia – Real Oviedo
Ndeshja e La Liga mes Valencia dhe Real Oviedo, e paraparë të luhej të hënën mbrëma në stadiumin “Mestalla”, është shtyrë për shkak të alarmit për reshje të mëdha shiu.
Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit e Spanjës betëm rreth pesë orë para nisjes së sfidës.
Kësisoji ndeshja që ishte paraparë të fillonte në ora 21:00, është shtyrë për një ditë. Pra, nëse kushtet atmosferike do ta lejojnë, ndeshja do të zhvillohet të martën, më 30 shtator, me fillim nga ora 20:00.
Ky rajon, ai i Valencia, është përballur me pasoja të rënda edhe në tetor të vitit 2024, kur përmbytjet kishin shtyrë disa ndeshje futbolli, ndërsa për më keq kishin shkaktuar edhe shumë viktima njerëzore.
Të hënën në Valencia janë mbyllur shkollat, kolegjet dhe disa hapësira publike.
