“Me 6 tetor ju pres në RUBIKON”-Rama cakton datën, i fton të gjithë kundërkandidatët në ballafaqim
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama, ka pranuar debat me kundërkandidatët e tij nga partitë tjera.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai iu përgjigj ftesës publike që kandidati i LVV-së, Hajrulla Çeko, e kishte bërë ndaj tij për debat publik.
“Kjo çka thotë ministri në ikje nuk është e vërtetë, sepse unë e kam ftuar për debat kur i kam prezantu vendimet joligjore që i ka marrë për bllokimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’. Unë tash pasi që partia e tij ka vendosur ta vendos atë si kandidat për kryeqytetin, e kam parë pse i kanë bërë këto bllokada tash e katër vite. Dmth, për të ardhur vetë e të thonë ‘tash unë i bëj’. Ne i kemi bërë gati, por ky nuk i kupton këto dhe nuk i merr vesh”.
“Jam i gatshëm për debat. I thërras të gjithë së bashku, po e bëjmë, po e caktojmë te ti. Po i sfidoj të gjithë. Patjetër që do të vi. Me datën 6 po takohemi këtu, të hënën, ditë e mirë, fillim i javës, të qetë. Publikisht po e them, i ftoj të gjithë kandidatët për kryetar të debatojmë, t’i shqyrtojmë idetë e problemet e qytetarëve”, tha Rama.
