Haradinaj: Ukë Blaka garanton qeverisje të ndershme për Istogun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në çdo takim me qytetarët e Istogut shihet qartë dëshira për ndryshim dhe për një qeverisje që kthen shpresën qytetit.

Ai theksoi se mbështetja për Aleancën dhe kandidatin për kryetar të komunës, Ukë Blaka, u dëshmua edhe në takimin e sotëm me banorët e Kaliqanit, në mikpritjen e kandidatit për Asamble, Ekrem Metaj.

“Istogu, zona më e pasur me burime ujore në Kosovë, sot vuan nga mungesa e ujit. Fshatrat që dikur shquheshin për prodhimtari bujqësore, tash përballen me pamundësi zhvillimi si pasojë e keqqeverisjes shumëvjeçare”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se më 12 tetor qytetarët e Istogut kanë mundësinë të zgjedhin një kryetar të dëshmuar me punë.

“Me Ukë Blakën si kryetar dhe me ekspertizën e listës sonë për Asamble, Istogu fiton vizion zhvillimor, investime të qëndrueshme dhe qeverisje të ndershme e transparente”, përfundoi Haradinaj.

Go to TOP