Vërehen dronë afër aeroporteve në Danimarkë e Norvegji, shkaktohen vonesa
Dronët që e shkaktuan mbylljen e aeroportit kryesor të Danimarkës të hënën duket se u drejtuan nga një “operator i aftë” që po synonte të dëshmonte aftësi të caktuara, ka thënë policia daneze, duke shtuar se asnjë i dyshuar nuk është identifikuar.
Aeroportet në Kopenhagë dhe Oslo, më të ngarkuarat në rajonin nordik, u mbyllën për disa orë, pasi disa dronë u vërejtën në hapësirën e tyre ajrore të hënën vonë, duke lënë dhjetëra mijëra pasagjerë në pritje për shkak të devijimit të fluturimeve, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Ne kemi konkluduar se ky ishte ai që ne e quajmë operator i aftë” – tha komandanti i policisë daneze, Jens Jespersen, duke iu referuar dronëve që u panë në Kopenhagë.
“Është një veprues që ka kapacitete, vullnet dhe mjete për t’u mburrur në këtë mënyrë” – shtoi ai, duke thënë se është shumë herët për të treguar nëse incidentet në Danimarkë dhe Norvegji janë të lidhura mes vete.
Aeroporti i Kopenhagës u mbyll për katër orë, kur dy ose tre dronë të mëdhenj u panë duke fluturuar në afërsi të tij, thanë zyrtarët, ndërsa Aeroporti i Oslos u mbyll për tri orë pas dy rasteve ku u panë dronë, sipas policisë lokale.
Jesperseni tha se dronët në Danimarkë erdhën nga disa drejtime të ndryshme, duke i ndezur e duke i fikur dritat e tyre, para se të zhdukeshin pas disa orëve.
Aeroporti i Kopenhagës devijoi 31 fluturime për në aeroporte të tjera, duke shkaktuar efekt domino që solli shtyrje ose anulim të rreth 100 fluturimeve dhe preku rreth 20 mijë pasagjerë, tha të martën një zëdhënës.
Mbyllja e përkohshme e këtyre aeroporteve ndodhi pas një vargu të pengesave në aeroporte të tjera evropiane ditëve të fundit.
Një sulm kibernetik të premten e nxori nga funksioni sistemin e check-init, duke i prekur fluturimet në aeroporte në Londër, Berlin e Bruksel. Gjatë fundjavës e deri të hënën, pasojat vazhduan të vëreheshin në udhëtime në mbarë rajonin.
