Nga heshtja te kujtesa: Prishtina nderon sot viktimat e komunizmit jugosllav

Një numër i madh viktimash prishtinase të regjimit ushtarako-komunist jugosllav ende nuk kanë identitet të kthyer, e varret e tyre mbeten të panjohura. Sot, në një ceremoni përkujtimore, do të zbulohet pllaka dedikuar civilëve shqiptarë të pushkatuar në Prishtinë nga ky regjim pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas të dhënave arkivore e dëshmive të kohës, numri i të ekzekutuarve arrin në qindra, ndërsa flitet se në të vërtetë bëhet fjalë për mijëra shqiptarë të vrarë pa gjyq. Viktimat ishin intelektualë, mësues, klerikë, patriotë, por edhe fshatarë të thjeshtë, që shpesh u shënjestruan vetëm pse kishin shërbyer në administratat shqiptare gjatë luftës apo mbanin bindje kombëtare të kundërta me pushtetin jugosllav. Familjarëve u mbetën vetëm fotografi ose gjësende të vogla si kujtim i të dashurve të tyre.

Ekzekutimet kryheshin kryesisht natën, larg syrit të qytetarëve. Njerëzit grumbulloheshin nga burgjet ose shtëpitë dhe pushkatoheshin pranë Taukbahqes, në drejtim të Velanisë, e cila përdorej nga ushtria si poligon qitjeje. Urdhrat për vrasje vinin nga kreu i OZNA-s jugosllave, Aleksandër Rankoviq-Leka, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste.

Periudha 1944–1955 në Kosovë mbetet një nga më të dhimbshmet dhe më pak të hulumtuarat. Pas hyrjes së brigadave partizane jugosllave dhe ushtrisë serbe, filloi një valë e gjerë ekzekutimesh, internimesh dhe represioni politik, kryesisht ndaj shqiptarëve. Këto kryheshin në emër të “spastrimit të armiqve të popullit” dhe të konsolidimit të pushtetit komunist. Shqiptarët, që në Konferencën e Bujanit kishin shpallur vullnetin për bashkim me Shqipërinë, u trajtuan si kërcënim ndaj planeve jugosllave për rikthimin e Kosovës nën administratën serbe.

Organizata ilegale shqiptare si “Besa Kombëtare” dhe grupe të tjera patriotike u shtypën me dhunë. Madje edhe disa ish-partizanë shqiptarë që kundërshtonin prapavijën serbe u shënjestruan dhe u eliminuan. Qëllimi ishte i qartë: dobësimi i elementit kombëtar shqiptar dhe shfarosja e elitës që mund të udhëhiqte lëvizje të pavarura.

Këto ngjarje lanë një traumë kolektive të thellë në Prishtinë. Megjithëse ka kaluar më shumë se shtatë dekada, Serbia vazhdon të mbajë të mbyllura arkivat jugosllave duke penguar zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie.

Sot, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të udhëheqë ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore, në prani të familjarëve të viktimave – një akt që shënon kthimin nga heshtja në kujtesë për dhimbjen e një qyteti të tërë. /Kosova.info/

Go to TOP