Kosova ndër vendet më të sigurta në botë, sipas raportit të Gallup 2025
Kosova ka arritur një tjetër sukses ndërkombëtar duke u renditur ndër vendet më të sigurta në botë, sipas Raportit Global të Sigurisë 2025 të Institutit Amerikan Gallup.
Në këtë raport, Kosova ka marrë 94 nga 100 pikë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit duke u pozicionuar menjëherë pas Taxhikistanit (97) dhe Singaporit (95), në të njëjtin nivel me shtete si Islanda, Kina dhe Vietnami (93).
Në nivel evropian, Kosova është në krye të listës së shteteve me mbi 90 pikë, së bashku me Islandën (93), Norvegjinë (92), Austrinë (91), Zvicrën (91), Danimarkën (90), Finlandën (90) dhe Malin e Zi (90).
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me këtë arritje duke theksuar se ky është një rezultat i rëndësishëm për qytetarët dhe institucionet e vendit.
“Me 94/100 pikë, vendi ynë shënon një sukses të jashtëzakonshëm për vlerësimin e duhur të sigurisë, rendit dhe përkushtimit ndaj shoqërisë. Jemi të bindur se ky sukses është rezultat i profesionalizmit të institucioneve të sigurisë dhe etikës së lartë të qytetarëve tanë,” ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Gallup, Indeksi i Ligjit dhe Rendit mat perceptimin e qytetarëve mbi sigurinë personale dhe familjare duke përfshirë besimin në policinë lokale, ndjenjën e sigurisë gjatë lëvizjes natën, si dhe përvojat e drejtpërdrejta me krimin, si vjedhjet apo sulmet fizike.
Ky vlerësim ndërkombëtar konsiderohet si një nga dëshmitë më të forta për stabilitetin dhe përparimin e Kosovës në fushën e sigurisë. /Kosova.info/
