Haradinaj: Ish-krerët e UÇK-së i kanë shërbyer vetëm vendit, shpresoj të lirohen nga specialja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur shpresën që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të lirohen nga akuzat me të cilat po përballen në Gjykatën Speciale në Hagë.

Gjatë një aktiviteti të fushatës së AAK-së në Fushë Kosovë, Haradinaj tha se gjithçka që është bërë gjatë luftës ishte vetëm në shërbim të vendit dhe popullit të Kosovës.

“Dëshirojmë që të lirohen ata që po gjykohen, janë bashkëluftëtarë tanë, janë shqiptarë. Të vijnë në vend të vet. Por besoni, asgjë nuk ka të jashtëzakonshme në ato që po thuhet atje. Ne në atë kohë të tillë kemi qenë, i kemi shërbyer vendit. Ashtu ka qenë ajo kohë dhe është dashur të punohet në atë mënyrë. Edhe sot mundohemi të përfundojmë punët me vizion që pas 20-30 vitesh të shihet se i kemi shërbyer popullit e vendit,” tha Haradinaj.

Ai kujtoi se edhe gjatë kohës së qeverisjes së tij kishte kritika dhe vendime që nuk u mirëpritën nga të gjithë, por sipas tij, me kalimin e kohës do të vërtetohet se gjithçka është bërë në interes të Kosovës.

Ndërkohë, sot në Hagë ka dëshmuar James Rubin, ish-ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë. Ai tha se në vitin 1999 kishte kuptuar për komunikimin e Haradinajt me CIA-n duke shtuar se “ky komunikim kishte ekzistuar ndër vite”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë për krime të pretenduara lufte, ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. /Kosova.info/

Go to TOP