Serbofoni Albin Kurti, ka thyer të gjitha rekordet duke folur serbisht!

Kur Albini deklaronte, e pranova aneksin e Ohrit që Lista serbe të dilte në zgjedhje!

Shkruan: Idriz MORINA

Nuk ka ndodhur, që një lider vendi të flet më shumë, më shpesh dhe më gjatë në gjuhën serbe, se sa njeriu që po e mban të uzurpuar detyrën e kryeministrit të vendit, në kundërshtim të plotë edhe me vendim të Gjykatës Supreme.

Kur Avdullah Hoti në SHBA iu drejtua me një fjali presidentit të Serbisë, Vuçiq, ish-ministrit të propagandës së Millosheviçit, mbështetësit e Kurtit, vetëm sa nuk e përpin Hotin.

Në fakt Hoti, gjatë qeverisjes së tij të shkurtër, edhe pse në rrethana ekstreme, të paktën nuk është ballafaquar për aq sa dihet me skandale.

Gabimi i tij fatal politik e intelektual ishte, se ai pranoi rrëzimin e një qeverie, në rrethana të jashtëzakonshme, kur kishin humbur apo ishin tretur botëkuptimet politike, dhe qeverisja ishte përpjekje për të siguruar mbijetesën nga pandemia. Gabimi i tij i dytë është, që ai pranoi ta rrëzonte një qeveri, e cila ishte në koalicion me LDK-në.

Ky gabim i Hotit, ishte nga gabimet më të mëdha të LDK-së, pas atij kur pranoi ta zgjidhte Hashim Thaçin president, për të cilin dihej se po hapej një proces gjyqësor në Hagë.

Këto gabime kardinale dhe të tjera e çuan LDK-në në thuaja gjunjëzim, nga të cilat tronditje ende nuk po mund të këndellet, që të kthehet në njërën nga partitë kryesore, në mos kryesoren në vend, duke pasur parasysh mbi të gjitha traditën rugoviane, shtetndërtimin, dhe organizimin më të suksesshëm të luftës, duke arritur të paktën kurorën e fitores së shqiptarëve në luftë me Serbinë, thyerjen e kufirit në Koshare, dhe mbajtjen e atij suksesi deri në çlirimin e Kosovës!

A është Albini thjesht një serbofon?!

Për disa që nuk e kuptojnë terminologjinë mirë, mund t’i duket si fyerje, por ky termin është i thjeshtuar, edhe në këtë rast, dhe thjesht ka të bëjë me nxitjen e të kuptuarit tek lexuesit, se një njeri i tillë ka përveç se mundësinë apo zotësinë që të flasë një gjuhë të huaj, e ka edhe dëshirën.

Këtu po sjellë disa pak raste nga një numër i shpeshtë, që ai i drejtohet në gjuhën serbe, komunitetit serb.

Ja disa tituj që gjenden ende në google:

Albin Kurti mesazh në serbisht, edhe në vitin 2023, “Shteti ynë është shtëpia e të gjithëve” (VIDEO)

“Albin Kurti i drejtohet në serbisht qytetarëve në veri”

“Albin Kurti videomesazh në gjuhën serbe: Le të ecim drejt një të ardhme më të mirë”

– Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur “fushatën” e tij informuese për dinarin, për serbët e Kosovës, duke folur në gjuhën serbe, në 2024.

Po ashtu Kurti në ditën e votimit në zgjedhjet nacionale të këtij viti, shkurt 2025. iu drejtua votuesve edhe në gjuhën serbe.

Ndërsa, së fundi këtë e bëri vetëm para pak ditësh, pasi që SHBA-të e shpallën sanksionin e ri, “Pezullimin e dialogut strategjik”.

Në nëntor të vitit 2022 Kurti, provonte të bënte të pamundurën, që serbët, Lista serbe të mos i braktiste institucionet e Kosovës.

“Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, mbante fjalim Kurti, dy vjet më parë. Duke iu përgjëruar Listës Serbe, që të mos I braktiste institucionet.

(“Iu bëj thirrje qytetarëve serbë, as mos i bojkotoni e as mos i braktisni institucionet e Kosovës, sepse ato janë në shërbim të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbëve. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti, transmetim i një mediumi tjetër.)

Pra, Kurti me këtë mesazh e bën të qartë, se para se të niste propaganda e VV-së për sovranitetin në veri, kishte filluar braktisja e institucioneve nga vetë serbët, sigurisht me urdhër të Beogradit, pjesë e marrëveshjes, për zhvillime të mëtejshme, dekriminalizimi i veriut nga serbët, me shumë gjasë sis kompromis i kompromisit të Kurtit për statusin special, që parasheh marrëveshja në fjalë e bërë nga Kurti, dhe projektstatuti për vetëqeverisjen e serbëve i hartuar nga BE, dhe i pranuar në tri raste nga Kurti:

1. Kur Kurti abrogoi nga detyrat e tij kushtetuese të përcaktuara edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, pasi deklaroi publikisht që statutin për asociacionin ta bënte vetë BE-ja.

2. Pas përfundimit të dokumentit, Kurti doli dhe e lavdëroi si të mirë, dhe nuk shprehu asnjë kritik dhe as refuzim (këtë e kam sjellë në fb tim shumë muaj më parë)

3. Me letrën dërguar Këshillit të Evropës, raportueses Bakojanis, në mars të vitit 2024, së bashku me presidenten Osmani dhe kryekuvendarin Konjufca, se e merrnin përsipër edhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe se projektstatutin do ta dërgonin në Gjykatë Kushtetuese.

(Shih “Të bëjmë hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme”;

Disa muaj më vonë pas deklaratës dhe lutjes së tij serbisht, që Lista serbe dhe të tjerët të mos i braktisnin institucionet e Kosovës, do të ngjante sulmi në Banjë, që Kurti dhe shumë politikanë të tjerë i referohen serbisht Banjska, që shqip qartë quhet Banjë, dhe ua kujtojmë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare edhe në veri, dhe se mbishkrimi i saj duhet të jetë në shqip, Banjë.

Por, njëkohësisht në këtë deklarim, ka dhënë edhe një qartësim të pozicionit të tij për bisedimet e bëra nga ai në Bruksel dhe Ohër, duke theksuar se ai e ka bërë – pranuar Marrëveshjen e Ohrit, dhe është e pavërtetë dhe dezinformim ajo që thonë mbështetësit e tij, se ai nuk e ka pranuar atë.

“Komuniteti ndërkombëtar na siguroi se nëse e pranonim Aneksin e Ohrit, ata do të siguronin pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje”, ka deklaruar Kurti në nëntor 2022.

Po kështu, ai jep edhe një informacion shtesë delikat, se si apo me çfarë kushti tjetër pranoi të bënte marrëveshjen Ohër-Bruksel, si në citatin e mësipërm.

Pra, ishte Kurti, që rreth tri vjet më parë, jo vetëm e pranonte Listën serbe, si të atillë që është me Radojçiqin e Simiçin e të tjerë, por kishte bërë kompromise në dëm të Kosovës, duke e pranuar Aneksin e Ohrit, në këmbim, të sigurimit të pjesëmarrjes së Listës serbe në zgjedhje. Këtë e thotë ai qartësisht në deklarimin e tij, pra pa interpretime të jashtme: “Komuniteti ndërkombëtar na siguroi se nëse e pranonim Aneksin e Ohrit, ata do të siguronin pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje”.

Pra, aq respekt të jashtëzakonshëm, madje si po shihet deri në përulje kishte për Listën, sa e dëmtoi shtetin e Kosovës dhe rolin e shqiptarëve të shumicës absolute brenda shtetit, vetëm që ta kishte me vete Listën Serbe në zgjedhje, ndërsa, sot gënjeshtarët, pseudopatriotët e VV-së, vjellin tym e vrerë, kinse Albini e urren Listën serbe!

Pra, Lista serbe ia kujton Albinit, turpin e madh historik!

Po ashtu për ata që po gënjejnë në vazhdimësi se Albin Kurti, se ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit, të quajtur si “Aneksi i Ohrit”, le ta lexojnë sërish këtë deklaratë të tij, që e tregon, se ai me ndërgjegje të plotë (por, aspak shqiptare), e pranoi me një këmbim të rrejshëm ta nënshtronte Kosovën ndaj – një komuniteti pakicë – serbëve, në Kosovë, rreth 3-4%, ndaj interesave të Serbisë dhe, ndërsa para mbështetësve të tij, vazhdon ai dhe partia e tij duke gënjyer dhe propaganduar të kundërtën.

Lexojeni edhe se si krenohej, kinse ky nacionalist, se sa të mira, dhe që asnjë qeveri tjetër nuk kishte bërë sa ai për serbët: “Janë ndërtuar 138 shtëpi të reja, janë rinovuar 12 shtëpi dhe 13 të tjera janë në proces, 364 familje kanë marrë material ndërtimor dhe i njëjti është procesuar edhe për 79 familje të tjera, 516 familje kanë marrë mobile dhe pajisje elektroshtëpiake, ndërsa 887 familje pako me ushqim dhe produkte higjienike. 2 milionë euro i kemi ndarë për 224 projekte për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, 1.7 milionë euro për 147 projekte për OJQ, gati 1.2 milionë euro për 344 projekte në arsim, kulturë, shëndetësi dhe sport, 415 projekte janë realizuar bashkë me Bashkimin Evropian për bujqësi, prodhim dhe shërbime. Po ashtu kemi realizuar disa projekte infrastrukturore në Obiliq dhe Kamenicë, dhe kemi mundësuar verifikimin e 425 diplomave të universitetit të veriut të Mitrovicës që studentët e saj të kenë qasje në tregun e punës kudo në territorin e Kosovës. Për këto dy vjet e gjysmë nga emërimi i Nenad Rashiq (Rašić), për subvencionimin e qytetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë janë investuar gjithsej mbi 14 milionë euro”, deklaronte Kurti serbisht.

Dhe ja deklarimi i tij i fundit, që e zhvesh pseudomitin Kurtin si patriot, i publikuar në gjuhën serbe vetëm pak ditë më parë, dhe që konfirmon atë që thashë në fillim se, pse Kurti nuk është thjesht një serbofon:

“Çlirimi ka ndodhur në muajin qershor 1999 kur u tërhoqën nga territori i Kosovës ushtria, policia dhe forcat e tjera të Serbisë”, thotë Kurti në fjalimin e tij serbisht, me tonalitet tipik filoserb.

Ia kujtojmë Kurtit, se Serbia nuk u tërhoq, por ajo kapitulloi duke e nënshkruar me 9 qershor marrëveshjen në Kumanovë, dhe u dëbua me ultimatum, 48 orësh nga Kosova!

Pra, Kurti jo që nuk është patriot shqiptarë, por është një i mjerë, që gënjen edhe mashtron, pseudointelektualët, njerëzit me informacion dhe vetëdije të ulët kombëtare, pavarësisht shkollimit apo edhe gradave shkencore që mund t’i kenë!

Kjo që ka thënë Kurti këtu, nuk është asgjë, krahasuar me dëmin, që ka bërë me Marrëveshjen më antishqiptare, duke thyer rekordet e zeza të Hashim Thaçit, si faktori kryesor në marrëveshjen e Vjenës, që mori emrin Pakoja Ahtisari, dhe veçanërisht me Marëveshjen mbi parimet, të 2013-ës, dhe në rrjedhim të saj.

Por, ky fjalim është provë e intencionalitetit të të menduarit të Kurtit, gatishmërinë e tij për të bërë kompromiese, madje edhe duke shtrembëruar të shkuarën tonë të afërt, duke e ambalazhuar çlirimin tonë – si tërheqje serbe, jo si disfatë të turpshme të Serbisë, që u arrit me ndihmën e jashtëzakonshme të NATO-s me 78 ditë bombardime, dhe gatishmëria gjithnjë në rritje e shqiptarëve, pas thyerjes së kufirit në Koshare, që në luftë tokësore të shkojnë drejt çlirimit!

Pra, këto dhe të tjera janë indikacione të qarta, që kompletojnë shenjimin e Kurtit, si njëri nga politikanët më filoserb!

Go to TOP