Enrique: fleksibiliteti i lojtarëve, tashmë domosdoshmëri për PSG-në
Paris Saint-Germain po përballet me një listë gjithnjë e më të gjatë lëndimesh, duke e bërë fleksibilitetin e lojtarëve në disa role një nevojë të pashmangshme, e jo thjesht një zgjedhje taktike të trajnerit Luis Enrique.
Mesfushori i ri, Joao Neves, u bë viktima më e fundit e “mallkimit të lëndimeve”, pasi u detyrua të largohej nga fusha me një problem në kofshë gjatë fitores 4–0 në Ligën e Kampionëve kundër Atalantës.
Ai i shtohet listës së mungesave, ku tashmë janë edhe Ousmane Dembele, Desire Doue dhe Lucas Beraldo, duke e lënë PSG-në me vetëm 19 lojtarë të gatshëm.
Në sfidën kundër italianëve, Luis Enrique zgjodhi të aktivizojë 19-vjeçarin Senny Mayulu në sulm, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e alternativave të reja.
“Ne nuk e dimë ende, Neves do të kryejë testet mjekësore të enjten ose të premten,” tha Enrique, duke shtuar se nuk do të rrezikojnë rikthimin e Dembele dhe Doue për ndeshjen e fundjavës kundër rivalëve të përjetshëm, Marseille.
Ndërkohë, portieri Lucas Chevalier shfaqi optimizëm për situatën.
“Nuk jemi të shqetësuar sepse gjithmonë arrijmë ta menaxhojmë dhe të kemi një ekip konkurrues.”
PSG përballet me Marseille të dielën në një nga klasiket më të zjarrta të futbollit francez.
