Basketbolli në Kosovë hyn në epokën “3.0”: FBK prezanton vizionin e ri për modernizim dhe gjithëpërfshirje

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka prezantuar projektin madhor “Basketbolli 3.0”, një strategji që synon transformimin e lojës në vend përmes modernizimit, gjithëpërfshirjes dhe profesionalizmit.

Presidenti i FBK-së, Arben Fetahu, theksoi se kjo platformë është konceptuar si një filozofi e re për organizimin dhe promovimin e basketbollit duke e përshtatur me standardet ndërkombëtare.

“Basketbolli 3.0 është një vizion gjithëpërfshirës që përfshin tre komponentë kryesorë: modernizimin, përfshirjen e të gjithë komuniteteve dhe ngritjen e cilësisë e profesionalizmit. Basketbolli duhet të ecë me kohën, me teknologjinë, me digjitalizimin dhe me standardet më të larta të organizimit sportiv. Gjithashtu, ai duhet të luhet nga të gjithë, vajza, djem, të rinj e të reja nga çdo komunitet. Në të njëjtën kohë, profesionalizmi mbetet themeli i zhvillimit të klubeve dhe ligave tona,” deklaroi Fetahu.

Platforma u vlerësua edhe nga Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, i cili e cilësoi atë të harmonizuar me frymën olimpike.

“Në frymën e lëvizjes olimpike, basketbolli 3.0 mëshiron tri shtylla të forta: përparimin, kreativitetin dhe unitetin. Rritja e pjesëmarrjes, zhvillimi i talenteve dhe përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare janë qëllime që i ndajmë plotësisht edhe ne,” tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Fidan Shatri, shprehu gatishmërinë për ta mbështetur këtë nismë.

“Dy pika që më bënë përshtypje janë zhvillimi i talentëve dhe prezantimi në arenën ndërkombëtare. Ministria do të jetë çdoherë partner për projektet që kanë për qëllim zhvillimin e basketbollit dhe forcimin e imazhit të Kosovës në botë,” u shpreh Shatri.

Me këtë strategji, basketbolli kosovar po hyn në një dimension të ri duke mos u kufizuar vetëm në garat sportive, por duke synuar të ndërtojë një sistem modern, gjithëpërfshirës dhe konkurrues në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP