Abdixhiku prezanton kandidatin e LDK-së për Artanën: Bajrush Ymeri, njeriu i këtij vendi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sonte në Artanë, ku është pritur nga një numër i madh qytetarësh të kësaj komune me histori e traditë të pasur.
Në këtë tubim elektoral, Abdixhiku prezantoi kandidatin e LDK-së për kryetar të Artanës, Bajrush Ymerin. Ai e cilësoi Ymerin si “njeriun e Artanës”, të lidhur ngushtë me këtë vend dhe të përkushtuar për të punuar pa u lodhur në shërbim të qytetarëve.
“Bajrush Ymeri është biri i këtij vendi, që e njeh më mirë se kushdo çdo lagje, çdo rrugë, çdo fshat. Ai nuk vjen me premtime boshe, por me përvojë, ndershmëri dhe përkushtim. Ai është gati të punojë ditë e natë për t’ua dhënë qytetarëve të Artanës dinjitetin dhe për ta bërë këtë komunë vend të zhvillimit”, u shpreh Abdixhiku.
Përveç kandidatit për kryetar, kreu i LDK-së prezantoi edhe listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Artanës duke i përshkruar ata si burra e gra të ndershëm, profesionistë që e shohin politikën si shërbim dhe jo si privilegj.
“Ju faleminderit për mbështetjen. Le të vazhdojmë drejt fitores së 12 tetorit edhe në Artanë”, tha Abdixhiku duke u shprehur i bindur për suksesin e LDK-së në këtë komunë. /Kosova.info/
