Krasniqi: Degradimi i raporteve me SHBA i konvenon vetëm kundërshtarëve të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sonte në Prishtinë fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, tha se degradimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shërben vetëm kundërshtarëve të Kosovës dhe se veprimet e ditëve të fundit po i sjellin vendit dëme të pariparueshme.
“Degradimi i raporteve tona me SHBA i konvenon vetëm kundërshtarëve të Kosovës. Kjo është dëshmia se ku shkon vendi kur qeverisja zgjidh konfliktin mbi bashkëpunimin dhe popullizmin mbi përgjegjësinë. Sot ftoj të bëhemi bashkë rreth një vizioni për një shtet që zhvillohet, ku qytetarët kanë perspektivë dhe siguri, e ku politika e parullave merr fund”, theksoi Krasniqi.
Ai u shpreh se PDK-ja është modeli i qeverisjes që kryen punë, mban fjalën dhe u shërben qytetarëve pa dallim. Po ashtu, kreu i PDK-së shprehu besimin se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta fitojnë betejën në Hagë dhe do të kthehen shpejt në vend.
Krasniqi tha se në zgjedhjet komunale të 12 tetorit PDK garon me kandidatët dhe programet më të mira duke shprehur bindjen se partia e tij do të dalë fituese. Në fjalën e tij para prishtinasve, ai i dha mbështetje të plotë kandidatit për kryeqytetin, Uran Ismailit.
“Mjaftë ka pritur Prishtina, mjaftë ka provuar Prishtina. Ka ardhur koha të udhëhiqet prej dikujt që e do me zemër dhe që di si ta ndryshojë për të mirë. Për Uranin, Prishtina nuk është opsion rezervë, është e para dhe e vetmja. Po shihet qartë se është krijuar një momentum i ri në kryeqytet dhe qytetarët po e mbështesin vizionin e tij”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se Prishtina ka nevojë për udhëheqje të re duke u shprehur i bindur se Uran Ismaili do të sjellë ndryshimet e nevojshme për qytetin. /Kosova.info/
