Policia dhe Dogana sekuestruan armë në autosallon në Banullë të Lipjanit, dy persona arrestohen
Një aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Doganës ka përfunduar me sekuestrimin e armëve dhe arrestimin e dy personave në fshatin Banullë të komunës së Lipjanit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në një auto-sallon, pronë e dy të dyshuarve kosovarë, janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë pistoleta, gjashtë karikatorë dhe njëzet fishekë. Si prova materiale, autoritetet kanë konfiskuar gjithashtu dy telefona celularë dhe një pajisje DVR të kamerave të sigurisë.
Të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe janë shoqëruar për intervistim nga njësitë kompetente. Me urdhër të prokurorit, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është cilësuar si “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve” dhe mbetet nën hetim nga organet kompetente. /Kosova.info/
