Gjermania dhe Turqia sigurojnë finalen e madhe të EuroBasket 2025
Kampionati Evropian i basketbollit ka mësuar dy ekipet finaliste. Gjermania dhe Turqia siguruan biletën për në finalen e madhe që do të zhvillohet të dielën në “Xiaomi Arena” në Riga të Letonisë.
Gjermania mposhti Finlandën me rezultat 98:86 në gjysmëfinale, duke arritur për herë të parë pas 20 vitesh në një finale të EuroBasketit.
Lideri i ekipit gjerman, Dennis Schröder, shkëlqeu me 26 pikë dhe 12 asistime, ndërsa Franz Wagner kontribuoi me 22 pikë. Edhe Daniel Theis dha një paraqitje të fuqishme me 10 pikë dhe 11 kërcime.
Për Finlandën, ku bën pjesë edhe kosovari Edon Maxhuni, më të dalluarit ishin Olivier Nkamhoua me 21 pikë dhe Lauri Markkanen me 16.
Në gjysmëfinalen tjetër, Turqia dominoi ndaj Greqisë me rezultat të thellë 94:68. Ylli i Houston Rockets në NBA, Alperen Şengün, ishte protagonist absolut me 15 pikë, 12 kërcime dhe 6 asistime, duke udhëhequr Turqinë drejt finales së parë që nga viti 2001.
Përballja mes Gjermanisë dhe Turqisë pritet të sjellë emocione të mëdha. Gjermania vjen me një skuadër të konsoliduar dhe lojtarë që bëjnë diferencën në momente vendimtare, ndërsa Turqia synon të kurorëzojë një rikthim historik pas më shumë se dy dekadash pritje.
Finalja e EuroBasket 2025 do të zhvillohet të dielën në Riga dhe do të përcaktojë kampionin e ri të Evropës në basketboll.
