KFOR dhe BE nënshkruajnë Memorandum për koordinim në raste zhvendosjesh dhe emergjencash

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjeneralmajor Enrico Barduani, dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë (EUOK) dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Sh.E. Aivo Orav, kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi (MoU), i cili përcakton mbështetjen dhe ndihmën e KFOR-it në rast të zhvendosjes apo evakuimit gjatë situatave kritike.

Ky memorandum synon të forcojë besimin e ndërsjellë mes dy misioneve, të sqarojë rolet përkatëse dhe të rrisë koordinimin duke mundësuar një reagim më efikas dhe të bashkërenduar në përputhje me mandatet e tyre.

Në deklaratë thuhet se nënshkrimi i MoU-së dëshmon angazhimin e aktorëve ushtarakë dhe civilë për të punuar së bashku në mënyrë proaktive duke rritur gatishmërinë, stabilitetin dhe sigurinë në rrethana sfiduese në terren.

KFOR-i, i cili vepron mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, vazhdon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë. Misioni bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si reagues të sigurisë në fushat e tyre përkatëse. /Kosova.info/


Go to TOP