Vdes aleati i Trump

Charlie Kirk, aktivist konservator dhe aleat i ngushtë i presidentit Donald Trump, vdiq të mërkurën pasi u qëllua gjatë një ngjarjeje në një kolegj, tha Trump.

Një person i ndaluar në Universitetin e Luginës së Utah-it nuk ishte i dyshuari, sipas një burimi të njohur me hetimin, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht. Nuk ishte e qartë nëse autoritetet ende po kërkonin për një të dyshuar në kampus, raporton AP.

Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale nga Univerisiteti Utah Valley, Kirk shfaqet duke rregulluar mikrofonin teksa qëndron i ulur në një tendë të bardhë dhe prapa shihen sloganet “Rikthimi amerikan” dhe “Më dëshmo të kundërtën”. Më pas dëgjohet një e shtënë e vetme me armë zjarri dhe Kirk shihet duke vendosur dorën e djathtë në plagë, teksa nga pamjet mund të shihet se ai ka gjakderdhje në pjesën e majtë të qafës. Pas kësaj, spektatorët e mbledhur shihen duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Kirk ishte duke folur në një debat të organizuar nga organizata e tij politike jofitimprurëse. Ngjarja kishte shkaktuar opinione të ndryshme në kampus. Një peticion online, që u bënte thirrje administruesve të universitetit t’ia ndalonin pjesëmarrjen Kirkut, mori pothuajse 1.000 nënshkrime. Universiteti lëshoi javën e kaluar një deklaratë duke cituar Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane – që mbron të drejtën e lirisë së shprehjes e tubimit – dhe duke thënë se ky institucion është i përkushtuar për “lirinë e shprehjes dhe dialogut konstruktiv”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe një grup i zyrtarëve republikanë dhe demokratë dënuan të shtënat.

Kjo ngjarje ndodhi në një kohë kur dhuna politike në Shtetet e Bashkuara po rritet në të gjitha pjesët e spektrit ideologjik. Sulmet përfshijnë vrasjen e një ligjvënëseje të shtetit të Minesotës dhe bashkëshortit të saj në shtëpinë e tyre në qershor, zjarrvënien gjatë një parade në Kolorado ku kërkohej lirimi i pengjeve nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe zjarrvënien në shtëpinë e guvernatorit të Pensilvanisë, i cili është hebre, ngjarje që ndodhi në prill.

Edhe Trump kishte qenë cak i një atentati gjatë një tubimi zgjedhor vitin e kaluar.

Ngjarja më e njohur ndër këto është të shtënat ndaj Trump gjatë një tubimi fushate vitin e kaluar.

Charlie Kirk ishte drejtues dhe bashkëthemelues i një organizate koservatore rinore, Turning Point.

Ajo u themelua në Çikago më 2012 nga Kirk – që atëbotë ishte 18 vjeç – dhe William Montgomery, me qëllim që në kampuse universitare të promovoheshin idetë për taksa më të ulëta dhe qeverisje më të limituar. Organizata nuk pati sukses të menjëhershëm.

Por, zelli i Kirkut për t’u konfrontuar me liberalët në kampuset universitare mori mbështetjen e një grupi të konservatorëve me ndikim.

Turning Point e ka mbështetur Trumpin pasi ai fitoi nominimin e republikanëve më 2016 për zgjedhjet presidenciale. Kirk ka qenë ndihmës personal i Donald Trump Jr., djalit më të madh të presidentit amerikan, gjatë fushatës zgjedhore.

Më pas, Kirk u bë gjithnjë e më i pranishëm në media dhe vazhdoi të mbështeste politikat e Trumpit.

Presidenti Trump dhe djali i tij kanë qenë folës në konferencat e organizatës Turning Point.


Go to TOP