Dyshime për armë pa leje në veri, Policia me aksion në pesë lokacione
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë Veri kanë kryer kontrolle në pesë lokacione mbi dyshimin për armëmbajtje pa leje.
Sipas komunikatës, policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke bastisur 5 lokacione (shtëpi private)”.
Në rastin e parë, në një shtëpi banimi në Soqanicë, Komuna Leposaviq, “Policia ka hasur në dy armë të cilat ishin në proces të legalizimit. Pronari i tyre kishte pasur leje për posedim të armëve nga UNMIK-u ndërsa tani kishte aplikuar për vazhdim të lejeve tek institucionet kompetente”.
Në rastin e dytë, në Ibarska Sllatin, Komuna Leposaviq, “është kontrolluar shtëpia dhe nga pronari Policia është informuar se ai e ka pasur një armë gjuetie me leje të UNMIK-ut të cilën e kishte shitur në vitin 2006, duke i respektuar procedurat ligjore mbi shitjen”.
Në rastin e tretë, në lagjen Korile, Komuna Zveqan, “është kontrolluar një shtëpi dhe nga pronari Policia është informuar se dy armët të cilat i kishte me leje të UNMIK-ut i kishte dërguar në Serbi. Në shtëpi është gjetur një sasi e vogël e municionit të cilat janë sekuestruar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”.
Në rastin e katërt, në fshatin Okllaqe, Zubin Potok, “është kontrolluar shtëpia ku nuk është hasur në diçka të dyshimtë. Është kontaktuar pronari nëpërmes telefonit i cili ka thënë se armën të cilën e kishte me leje te UNMIK-ut të skaduar, do ta sjell nesër stacionin Policor”.
Në rastin e pestë, në fshatin Uglar, Zubin Potok, “është kontrolluar shtëpia ku është gjetur një armë gjuetie me leje të skaduar të UNMIK-ut e cila është sekuestruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”.
Policia ka theksuar se “lidhur me rastet nuk ka persona të arrestuar” dhe se Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri “do të vazhdojë me aksione të tilla, andaj apelojmë tek qytetarët që të respektojnë ligjin”.
“Çdo armë e cila mbahet pa leje të vlefshme konsiderohet e kundërligjshme, prandaj qytetarët inkurajohen të paraqiten në stacionet policore për të kryer procedurat për vazhdimin e lejeve të armëve,” thuhet në komunikatë. /Kosova.info/
