Arrestohen dy persona për prerje të pyjeve në Kaçanik
Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtin me dy motor-sharra, kishin filluar të dëmtonin pyjet duke prerë dru në vendin e quajtur “Llageri”, në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Kaçanikut.
“Më datë 09.09.2025, rreth orës 08:10, gjatë zbatimit të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, njësitet policore të stacionit policor në Kaçanik kanë vërejtur një automjet të tipit Nissan, pa targa dhe të modifikuar, i cili drejtohej nga i dyshuari F. V.,31 vjeçar. Ndërkohë, i dyshuari tjetër, K. V., 34 vjeçar, kishte arritur me një motoçikletë 4×4. Të dy të dyshuarit, me dy motor-sharra, kishin filluar të prenin dru në vendin e quajtur “Llageri”, Parku Kombëtar “Sharri” në zonën e Kaçanikut”, thotë Policia.
Por ndonëse kryerësit e veprës nuk u kapën në vendin e ngjarjes, Policia gjeti prova të mjaftueshme aty.
“Automjeti Nissan i ngarkuar me dru, një motor-sharrë dhe një telefon. Të gjitha këto janë konfiskuar nga policia, ndërsa veprimet janë zhvilluar në koordinim me prokurorin kujdestar”, njofton policia.
Ndërkohë në orët e pasdites dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
“Rreth orës 15:00, të dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit, ata janë ndaluar për 48 orë për procedura tjera hetimore”, bëhet e ditur në njoftimin policor. /Kosova.info/
