`Guxo` prezanton mbi 200 kandidatë për zgjedhjet lokale të vitit 2025

Partia “Guxo” ka prezantuar sot kandidatët për zgjedhjet lokale të vitit 2025, duke përfshirë mbi 200 emra për asambletë komunale si dhe kandidatët për kryetarë komunash.

Kryetarja e kësaj partie, Donika Gërvalla, deklaroi se “odiseja e bllokadës institucionale ka marrë fund”, duke bërë thirrje për formimin e qeverisë. Ajo kritikoi masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila u kërkua nga Lista Serbe, si dhe qëndrimin e opozitës për refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

“Duhet të vazhdojmë me formimin e qeverisë. Jo rastësisht, më 7 shtator tre vite më parë, jemi mbledhur këtu në Kuvendin themelues të ‘Guxo’-s, duke mos harruar rrugën e gjatë drejt pavarësisë. Tani, jemi këtu për të prezantuar mbi 200 kandidatët tanë për asamble komunale, bartësit e listave dhe kandidatët për kryetarë komunash,” u shpreh Gërvalla.

Ajo shtoi se “Guxo” është një parti e re në moshë, por me eksperiencë dhe guxim, që sipas saj e veçon në skenën politike. Gërvalla theksoi përballjen me, siç e quajti, “një bllokadë të jashtëzakonshme institucionale”, duke bërë apel ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe opozitës që të lejojnë formimin e institucioneve.

Ndërkaq, bashkëkryetari i “Guxo”-s, Faton Peci, e vlerësoi rolin e partisë në ndryshimin politik të vitit 2021 si një moment përcaktues për vendin. Ai nënvizoi rëndësinë e veriut të Kosovës dhe shpalli kandidaturën e tij për kryetar të Mitrovicës.

“Ju jeni bashkë me mijëra të tjerë përcaktues të fatit të Kosovës se ku do të jetë në vitet e ardhshme. Është ‘Guxo’ bashkë me Alternativën dhe VV që ka ndërruar kahjen e historisë. Siç e dua Mitrovicën dhe Kosovën, kam marrë përgjegjësinë të garoj për të parin e Mitrovicës,” tha Peci, duke shtuar se edhe pse sfidat si ministër i Bujqësisë kanë qenë të mëdha për shkak të korrupsionit, është i bindur se do të përballet me sukses edhe me sfidat në Mitrovicë.


Go to TOP