ZRRE nuk e përjashton shqyrtimin e tarifave të reja të energjisë deri në fund të vitit
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) mund të shqyrtojë deri në fund të këtij viti tarifat e reja të energjisë elektrike, të cilat sipas kryesuesit të saj, Ymer Fejzullahu, mund të përfshijnë si rritje ashtu edhe ulje, varësisht nga kostoja e sistemit.
Pas mbledhjes së Bordit të ZRRE-së, Fejzullahu tha se kërkesat për konsum të energjisë janë rritur tek një kategori e madhe e konsumatorëve, ndërsa është tejkaluar parashikimi i kostos së importit të energjisë krahasuar me vlerësimet e vitit të kaluar. Ai theksoi se shqyrtimi i ardhshëm i tarifave mund të bëhet në dhjetor, duke u bazuar në analizën e kostos së sistemit.
Në prill të këtij viti, ZRRE kishte vendosur rritjen e tarifave për energjinë elektrike me 16.1 për qind, vendim që hyri në fuqi më 1 maj.
Sa i përket liberalizimit të tregut energjetik, Fejzullahu tha se më shumë se pesë furnizues tashmë kanë lidhur kontrata me bizneset, ndërsa rreth 40 për qind e tyre furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Ai nënvizoi se ZRRE është e obliguar të respektojë çdo vendim gjyqësor që lidhet me këtë proces, duke shtuar se vendimi për liberalizimin e tregut për bizneset e mëdha është marrë një vit më parë.
Në të njëjtën mbledhje, Bordi i ZRRE-së miratoi licencimin për furnizim me energji elektrike për kompanitë “Norwegian PX Kosovë SH.P.K.”, “BE Power SH.P.K.” dhe “Energy for Change L.L.C.”. Po ashtu, u dha autorizimi për ndërtim për “Lindja Solar L.L.C.” për një kapacitet prej 100 MW në zonën kadastrale afër Rahovecit, si dhe u aprovuan dhjetëra kërkesa për autorizime të vetë-konsumit nga kompani dhe persona fizikë.
