KosovaPAR 2025: Administrata Publike dhe Inteligjenca Artificiale në fokus
Në patronatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme filloi sesioni i tretë i Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025.
Konferenca e këtij viti trajton temën: “Capacity in Public Administration for or through AI?”, duke vënë në qendër të debatit ndikimin dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale në fushën e administratës publike.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në epokën e inteligjencës artificiale, Kosova po punon për një administratë moderne dhe në rritje të kapaciteteve profesionale.
“Administrata është themeli i funksionimit të një shteti. Ne si qeveri kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ndërtuar një administratë profesionale dhe transparente. Kemi miratuar strategji të qarta dhe kemi vizion për një administratë moderne, ku reformat vendosen në shërbim të qytetarëve, duke ofruar shërbime cilësore dhe duke kontribuar në zhvillimin e vendit. Do të shohim se si teknologjia mund të bëhet partnere. Kosova është e gatshme të mësojë nga praktikat ndërkombëtare, të shkëmbejë njohuri dhe të forcojë kapacitetet, në mënyrë që administrata jonë të mbetet në nivelin më të lartë”, tha ai.
Ai njoftoi se gjatë punimeve do të organizohen 14 panele, dy sesione kryesore dhe një tryezë e rrumbullakët, ku do të diskutohet nga përfaqësues të nivelit të lartë shtetëror, komuniteti diplomatik, akademikë, zyrtarë publikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë nga rajoni e më gjerë.
Konferenca dyditore synon të krijojë dhe forcojë një rrjet bashkëpunues ndërkombëtar që mund të adresojë në mënyrë efektive sfidat bashkëkohore të administratës publike duke nda përvoja dhe njohuri midis vendeve të ndryshme të zbatimit të reformës administrative.

