Vërshohet bodrumi i shkollës ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë
Gëzimi i fillimvitit shkollor që e patën dje shkollarët, u venit sot për nxënësit e shkollës së mesme të ulët “Ismail Qemali” në kryeqytet. Bodrumet e objektit u mbushën me ujë të pusetave, duke vështirësuar mësimin e klasave të nivelit të ulët. Në terren u panë edhe ekipet e ujësjellësit rajonal Prishtina, si dhe zyrtarët komunalë.
Dita e dytë e mësimit në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë nisi me telashe. Mbyllja e një pusete mbushi përdhesen e shkollës me ujë, duke pamundësuar mësimin në atë kat. Drejtoresha e shkollës, Mimoza Krasniqi tregoi zgjidhjen e përkohshme që kanë bërë për mbajtjen e orëve mësimore.
“Përnjëherë me nxënësit e kemi bërë një zgjidhje të përkohshme, një klasë ka mbajt mësim në sallën e arsimtarëve, një klasë në kabinetin e fizikës, një klasë normal e kanë pas klasën që kanë mundur të vazhdojnë procesin mësimor, klasa tjetër ka shkuar në sallë të edukatës fizike, tani në orën e dytë, klasa që ka mbajt në sallë të edukatës fizike ka shkuar në sallë të arsimtarëve, pas orës së dytë i kemi çuar në shtëpi”, tha Krasniqi.
Në terren gjatë ditës dolën për ta sanuar problemin ekipet e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, derisa u inspektuan nga nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj.
“Sot është bërë një zgjidhje e përkohshme, është debllokua pjesa e kanalizimit, prej nesër ekipet tona dhe të investimeve kapitale e shërbimeve publike do të fillojnë punën për kryerjen e këtij problemi dhe zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë të përhershme sepse ndërlidhet pastaj me pjesët e kanalizimit të qytetit dhe me gjasë bllokada është diku tjetër por efekti është në shkollën ‘Ismail Qemali'”, tha Manaj.
Për gjendjen e shkollës folën edhe prindërit.
“Problematikë nuk është e sivjetshmit, vitin e kaluar çdo reshje që u kon e madhe në qytet e ka përmbys shkollën, kjo hala pa pas reshje kjo diçka e çuditshme për neve po që premtime kemi pas, edhe zotime por nuk është ndërmarrë gjatë kohës së verës qysh na është premtuar, na si prind jemi shumë të shqetësuar dhe kemi frikën se mos edhe renovimi kryesor i shkollës që është në afatin e marsit kanë me neglizhuar si këto gjërat tjera duke pas parasysh që ka me pas ndryshime politike në vend dhe mund me u harru projektet”, tha Arlind Celina, anëtar i Këshillit të Prindërve të shkollës.
Shkolla “Ismail Qemali” ka rreth 3000 nxënës, që përfshin 15% të nxënësve të komunës së Prishtinës.
