Oda e Fizioterapeutëve padit AKA-në për akreditimin e programit të Fizioterapisë në UP

Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK) ka dorëzuar padi kundër Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA) duke kundërshtuar vendimin për akreditimin e programit të Fizioterapisë dhe Rehabilitimit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Kryetari i OFTK-së, Feim Gashi, deklaroi se vendimi i AKA-së është i kundërligjshëm dhe bie ndesh edhe me raportin e ekspertëve të vetë agjencisë. Ai paralajmëroi se ky veprim mund të sjellë pasoja të rënda për studentët, pasi ekziston rreziku që diplomat e tyre të mos njihen pas përfundimit të studimeve.

“Kemi dorëzuar padi administrative ndaj AKA-së, pasi nuk janë respektuar kriteret ligjore për akreditimin e këtij programi, i cili për herë të parë hapet në Kosovë. Nuk jemi kundër Universitetit të Prishtinës, por kundër mënyrës si është marrë ky vendim duke anashkaluar edhe rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë”, tha Gashi.

Ai shtoi se bartësit e programit nuk janë të profilit të fizioterapisë dhe se njëri prej tyre nuk ka as thirrje akademike duke e konsideruar këtë shkelje të udhëzimeve administrative.

Ndërkohë, avokati i OFTK-së, Florian Petani, theksoi se vendimi i AKA-së do të shkaktojë “dëme të pariparueshme” për studentët e regjistruar. Sipas tij, diploma e këtij programi nuk do të njihet nga legjislacioni aktual duke e bërë të pamundur licencimin e tyre si fizioterapeutë.

“Përveç padisë, kemi kërkuar edhe masë sigurie për pezullimin e aktiviteteve mësimore në vitin e parë të këtij programi, për të mos rrezikuar të ardhmen e studentëve”, tha Petani.

Ky është rasti i parë i kontestimit gjyqësor të një vendimi për akreditim programi në fushën e mjekësisë në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP