42 vite në arsim, Kemajl Çallaku nis shtatorin e parë jashtë shkolle
Për mësimdhënësit që pensionohen, përjetimet janë ndryshe. Për Kemajl Çallakun, nga fshati Gajre i Kaçanikut, ky është shtatori i parë jashtë shkolle, pas 42 viteve në shërbim të edukimit të brezave të rinj. Ai shërbeu 12 vjet në vendlindje dhe 30 vjet në shkollat shqipe në Gjermani.
Pas 45 vjetësh nga hapat e parë si mësimdhënës, Kemajl Çallaku kthehet sërish në këtë shkollë “jo në bankën e ligjërimit, por si mysafir nderi”. Kjo është dëshmi se kujtimi i mësuesit mbetet i paharruar nga ish-nxënësit, të cilët sot janë menaxherë dhe ligjërues në këtë institucion.
Duke i falënderuar kolegët për urimin e pensionimit, mësimdhënësi Kemajl Çallaku tregon se pikërisht këtu, në Ivajë të Kaçanikut, nisi rrugëtimin e tij me ligjërimin, ndërsa për 12 vjet kontribuoi në procesin e arsimit në vend.
”E kujtoj ziljen e parë, para 45 vjetësh, në shtator të ’81-shit. Tash, si pensionist që prej korrikut të këtij viti, desha të vizitoj ish-nxënësit, kolegët, këtë vend dhe këtë fshat të bukur”, tha mësuesi Çallaku.
Më pas, Çallaku e vazhdoi misionin e mësuesit në mërgim, ku për tri dekada ligjëroi në gjuhën shqipe, duke u bërë urë lidhëse me nxënës e prindër nga të gjitha trojet etnike.
”Unë në 1979 kam filluar punën në arsim. Plot 42 vjet i kam dhënë këtij misioni: 12 këtu në Kosovë dhe 30 vite të plota në Gjermani, në Arnsberg e Dortmund. Jam shumë krenar që përmes punës sime kaluan rreth 30 gjenerata nxënësish. Prej tyre dolën mjekë, drejtorë, inxhinierë. Ndihem i lumtur dhe jashtëzakonisht krenar”, rrëfen tutje mësuesi Çallaku.
Çallaku pranon se fillimi i shtatorit, këtë herë në pension, e ka mallëngjyer, por edhe e ka bërë krenar, pasi dy anëtarë të familjes së tij po e ndjekin rrugën e tij në arsim.
”Djali im, Lulzimi, punon në Bielefeld, Gütersloh dhe Paderborn, në shkollat shqipe atje. Ndërsa vendin tim në Dortmund e ka zënë nusja e djalit, Nerxhivane Çallaku. Kjo për mua është një kënaqësi e madhe”, shtoi Çallaku.
Megjithatë, ai shpreh edhe shqetësimin se “shkollat këtu po zbrazen, kurse atje po mbushen. Vetëm Lulzimi ka mbi 250 nxënës, ndërsa Nerxhivane mbi 200”.
Pas 42 vjetësh në shërbim të arsimit, mësimdhënësi Kemajl Çallaku ndjehet i përmbushur mes kujtimeve të së kaluarës, mallëngjimit të 1 shtatorit si pensionist dhe krenarisë që pasardhësit e tij po vazhdojnë misionin e shenjtë të arsimit shqip në mërgatë.
